
Qeveria shqiptare ka propozuar një plan të ri për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme gjatë periudhës 2026-2030.
Dokumenti është propozuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Ai lidhet edhe me Kapitullin 20 të negociatave me Bashkimin Evropian, që mbulon ndërmarrjet dhe politikat industriale.
Sipas qeverisë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99.9% të bizneseve aktive në Shqipëri, mbi 82% të punësimit dhe rreth 78% të vlerës së shtuar.
Plani synon të rrisë produktivitetin, përdorimin e teknologjisë dhe aftësinë e këtyre bizneseve për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Dokumenti parashikon 11 objektiva dhe 25 masa prioritare deri në vitin 2030.
Masat fokusohen në digjitalizim, inovacion, tranzicion të gjelbër, ulje të barrës administrative, nxitje të eksporteve dhe akses më të mirë në financim.
Zbatimi do të koordinohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me institucione si AIDA, AKPA, AKSHI, AKKSHI dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit.
Kostoja e parashikuar është 32.7 milionë lekë dhe do të mbulohet nga buxhetet e institucioneve përkatëse, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Dokumenti pritet të dërgohet për mendim në ministritë e linjës para miratimit në Këshillin e Ministrave.