
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dënuar djegien e automjeteve me status diplomatik pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Qeveria e cilësoi incidentin akt vandal dhe të papranueshëm.
Në reagim thuhet se autoritetet po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Qeveria tha se çdo përpjekje për të shkaktuar tensione ose për të cenuar sigurinë do të ndëshkohet.
Edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut dënoi incidentin dhe tha se Ministria e Brendshme po heton rastin.
Autoritetet kërkuan hetim të shpejtë dhe vendosje të përgjegjësisë penale.
Incidenti ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes mbeten të acaruara për çështje historike, politike dhe procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.