10.11.2026
Turizëm

Qeveria kufizon në 40% pjesën e banimit në resortet e reja

Vendimi i qeverisë kërkon që të paktën 60% e sipërfaqes së ndërtimit t’i shërbejë turizmit, ndërsa pjesa e banimit nuk mund të kalojë 40%.

TIRANË, 10 nëntor – Resortet e reja që ndërthurin turizmin me apartamente ose vila për banim nuk mund të përdorin më shumë se 40% të sipërfaqes së ndërtimit për njësi rezidenciale, sipas vendimit të qeverisë.

Vendimi i miratuar më 5 nëntor kërkon që të paktën 60% e sipërfaqes t’i shërbejë aktivitetit turistik. Apartamentet dhe vilat e destinuara për turistët duhet të jenë pjesë e resortit dhe të administrohen së bashku.

Për projektet e reja, zhvilluesit duhet të marrin certifikatë paraprake nga ministria përgjegjëse për turizmin përpara marrjes së lejes së ndërtimit.

Certifikatat e lëshuara më parë ruajnë vlefshmërinë. Projektet që kanë marrë leje ndërtimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026 përjashtohen nga detyrimi për certifikatën paraprake.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.