TIRANË, 5 nëntor – Dy grupimet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, i janë drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese.
Ankimet kërkojnë shfuqizimin e tri akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor, të cilat sipas paditësve kufizojnë të drejtën për t’u mbledhur e protestuar.
Kundërshtimet lidhen me gjobat deri në 500 mijë lekë, kufizimet për tubimet pranë institucioneve, regjistrimin e personave të përfshirë në incidente dhe përgjegjësinë financiare të organizatorëve për dëme të shkaktuara nga persona të tjerë.
Grupimet kërkojnë që Gjykata të pezullojë zbatimin e dispozitave deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Gjykata nuk ka dhënë ende vendim për kërkesën.