19.09.2026
Sociale

Operacioni “Puzzle”, Proda falënderon Policinë për goditjen e trafikut të armëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka përgëzuar efektivët e Policisë së Tiranës për profesionalizmin dhe përkushtimin në operacionin “Puzzle”, që çoi në shkatërrimin e një rrjeti trafikimi armësh nga Kosova në Shqipëri.

Në një mesazh dërguar strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kreu i bluve Ilir Proda vlerësoi punën e kryer në operacionin “Puzzle”, që përfundoi me arrestimin e 10 shtetasve dhe sekuestrimin e 14 armëve të zjarrit.

“Këto rezultate tregojnë angazhimin serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe armëmbajtjes pa leje,” thuhet në mesazhin e Prodas.

Ai përmendi në veçanti oficerët dhe agjentët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe të Forcës Operacionale, si dhe drejtuesit e DVP Tiranë, për bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Tiranës.

“Rezultate të tilla rrisin sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve, duke dhënë një mesazh të qartë ndaj çdo individ apo grup që tenton të cenojë rendin dhe jetën e njerëzve,” theksoi Proda.

Në fund të mesazhit, drejtuesi i Policisë nënvizoi se puna për një Shqipëri më të sigurt vijon çdo ditë, sidomos në prag të sezonit turistik, i cili duhet të jetë një “pasaportë sigurie” për vizitorët vendas dhe të huaj.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.