Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet sërish në SPAK këtë të hënë në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, ndërsa PD ka bërë thirrje për mbështetje para godinës së Prokurorisë së Posaçme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të paraqitet sërish në SPAK këtë të hënë, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, vendosur nga Gjykata. Kjo është një prej daljeve të rregullta që Berisha duhet të bëjë përpara zyrtarëve të BKH-së, si pjesë e procedurës hetimore që po zhvillohet ndaj tij.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka nisur mobilizimin e anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Në një mesazh të shpërndarë në grupet e brendshme të Këshillit Kombëtar, Flamur Noka ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të pranishëm para godinës së Prokurorisë së Posaçme në orën 09:30, për të treguar mbështetjen ndaj liderit të tyre.
Thirrja vjen si një përpjekje për të ruajtur frymën e solidaritetit në një kohë të vështirë për opozitën, ndërkohë që pjesëmarrja në tubimet e mëparshme para SPAK ka qenë e kufizuar.