
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur ditën e zgjedhjeve vendore të 11 majit një “farsë elektorale”, duke deklaruar se “vota e qytetarëve shqiptarë vdiq pa rënë në kuti”. Në një dalje publike, ai akuzoi qeverinë për shkelje të rënda të standardeve zgjedhore dhe për manipulim të rezultatit përmes mjeteve të paligjshme dhe favorizuese.
Berisha përmendi disa prej faktorëve që sipas tij kanë ndikuar në deformimin e votës, përfshirë përdorimin e fondeve publike, faljet fiskale, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe fenomenin e mbjelljes së kanabisit. Ai publikoi edhe disa pamje që sipas tij dëshmojnë parregullsitë zgjedhore.
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzoi për mosndëshkim të krimeve elektorale dhe për instalimin e një kulture pandëshkueshmërie.
Duke e konsideruar procesin të pavlefshëm, ai u zotua se “farsa elektorale nuk do të pranohet kurrë” dhe se opozita do të vijojë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.