
Pas përfundimit të verifikimeve në Gramsh dhe Peqin, sot në orën 09:00 nis në Tiranë procesi i rinumërimit për 1 282 kuti votimi të qarkut, në pallatin e sportit “Farie Hoti”. Procesi pritet të zgjasë rreth 10 ditë.
Në qendër janë votat për subjektet politike dhe kandidatët individualë. Pas Tiranës, do të rinumërohen kutitë në Fier (587) dhe më pas në Durrës (360), përfshirë edhe 85 kuti nga diaspora.
Në proces janë angazhuar 24 grupe pune me 63 persona – 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Kostoja e rinumërimit është 21 milionë lekë dhe mbulohet nga fondet e kursyera të 11 majit.
PD kërkon të rimarrë një mandat të humbur ngushtë në Tiranë, ndërsa në PS disa kandidatë shpresojnë të ngjiten në listë.
Dje pati tensione në Peqin – PD akuzoi se fletë pa vulë po i atribuoheshin PS-së në shkelje të Kodit Zgjedhor.