
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se Shqipëria po përjeton një transformim rrënjësor në sektorin energjetik, me rritje të kapaciteteve prodhuese dhe përfshirje të investimeve të huaja në energjinë e pastër.
Gjatë një takimi me institucionet e sektorit në fjalë, Balluku theksoi se vetëm vitin e fundit janë shtuar 500 MWh energji nga parqet diellore, duke ndihmuar në diversifikimin e burimeve dhe rritjen e potencialit për eksport. Ajo konfirmoi se objektivi i qeverisë është që Shqipëria të bëhet eksportuese neto e energjisë deri në vitin 2030.
Sipas saj, reformat dhe performanca e lartë e kompanive publike si OSHEE kanë mundësuar ulje tarifash për qytetarët, me përfitime vjetore rreth 100 milionë euro. Shqipëria renditet e para në rajon për qëndrueshmëri energjetike, sipas Forumit Ekonomik Botëror.
Balluku njoftoi gjithashtu se së shpejti do të hapet për konsultim publik projektligji i ri për sektorin e energjisë, me synim modernizimin dhe përputhjen me standardet e BE-së.