19.09.2026
Politike

Kuvendi miraton ligje kyçe për integrimin në BE

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten një sërë projektligjesh të lidhura me përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përfshirë migracionin, kontrollin kufitar, shërbimet publike digjitale dhe energjinë e rinovueshme.

Ligji “Për të huajt” u miratua me 73 vota pro dhe 1 kundër. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi se ligji synon zëvendësimin e qasjes fragmentare me një sistem të integruar dhe më human të menaxhimit të migracionit.

Me të njëjtin rezultat, u miratua edhe ligji për krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve. Projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit” kaloi me 74 vota pro dhe konsiderohet një parakusht për hapjen e negociatave me BE-në.

Ligji i ri për kontrollin e kufirit shtetëror u miratua me 74 vota pro. Ministri Hoxha tha se ai forcon kapacitetet teknike dhe ligjore për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar.

Gjithashtu u miratuan projektligje për shëndetin e bimëve dhe kafshëve, për prodhimin dhe përdorimin e biokarburanteve, si dhe për ndryshime në ligjin për sportin.

Deputetët ratifikuan gjithashtu një marrëveshje huaje prej 76.9 milionë euro me Bankën Botërore, për përmirësimin e shërbimeve publike përmes digjitalizimit në nivel vendor.

Të gjitha ligjet u miratuan me shumicë votash nga mazhoranca dhe disa deputetë të opozitës.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.