
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po rritet çdo ditë me krenari dhe përkushtim. Sot, në një ceremoni të mbajtur në qytetin e Ferizajt, 350 rekrutë të rinj iu bashkuan zyrtarisht radhëve të ushtrisë së Kosovës.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së. Ajo theksoi rëndësinë e këtij momenti për vendin dhe për sigurinë kombëtare:
“Prej këtyre djemve dhe vajzave në uniformë, jehon një zë i fuqishëm: për Kosovën”, deklaroi Osmani. Ajo shtoi se me çdo ushtar të ri, Republika e Kosovës bëhet më e fortë dhe më krenare.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi se në katër vitet e fundit janë investuar mbi 300 milionë euro në ushtri dhe janë rekrutuar mbi 2.700 ushtarë dhe oficerë të rinj. Sipas tij, këto shifra dëshmojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe të aftë për mbrojtjen e sovranitetit.
Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.
Rritja e kapaciteteve njerëzore dhe investimet në ushtri janë tregues të qartë të angazhimit të Kosovës për një strukturë të sigurisë profesionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.