
Për herë të parë këtë verë, të gjitha plazhet e Shqipërisë ofrojnë hapësira publike pa pagesë për pushuesit, si pjesë e një rregulloreje të re të Këshillit të Ministrave që synon garantimin e aksesit të barabartë në bregdet.
Rregullorja kërkon që në çdo 1000 metra vijë bregdetare, të paktën 300 metra të jenë të lira për publikun, me kushte minimale si tualete, dushe, kabina zhveshjeje dhe hapësira për persona me aftësi të kufizuar.
Zbatimi më i mirë është vërejtur në Lezhë, me 94,195 m² plazhe publike dhe shërbime të standardizuara. Në Velipojë, Durrës, Himarë, Vlorë dhe Sarandë janë shtuar ndjeshëm hapësirat e lira, por problematikat mbeten me pastërtinë dhe infrastrukturën ndihmëse.
Në Durrës janë krijuar 128 hapësira publike, ndërsa në Ksamil dhe Sarandë janë lënë zona strategjike të aksesueshme pa pagesë, përfshirë vijat përballë ishujve dhe plazhin Paradiso.
Rregullorja shënon një rikthim të modelit tradicional të pushimeve të lira dhe të hapura për të gjithë, por kërkon zbatim të plotë në terren për të përmbushur qëllimin.