
Sot në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit nis procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në lidhje me çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Para seancës, në orën 09:30, do të shqyrtohet kërkesa e Malltezit për lirimin nga arresti i shtëpisë. Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të jetë nën masën e arrest shtëpie.
Të dy janë të akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Malltezi dyshohet për përfitim të paligjshëm prej 5.4 milionë eurosh në bashkëpunim me tre persona të tjerë dhe tre kompani ndërtimi.
Procesi, i cili pritet të zgjasë për shkak të mungesës së kërkesave për gjykim të shkurtuar, do të drejtohet nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Ky është rasti i parë që një ish-kryeministër i Shqipërisë ulet në bankën e të akuzuarve që nga krijimi i GJKKO-së në dhjetor 2019.