
Evropa është përfshirë nga vala e parë e të nxehtit të verës, me temperatura që arrijnë deri në 42°C në disa zona të Spanjës, Portugalisë dhe Italisë, duke detyruar autoritetet të marrin masa emergjente.
Në Spanjë, agjencia Aemet paralajmëroi për temperatura të larta dhe të qëndrueshme, ndërsa Portugalia vuri dy të tretat e territorit në gatishmëri të lartë për shkak të vapës dhe rrezikut nga zjarret. Në Francë, mbi 80 rajone janë në alarm, me zjarre në jugperëndim dhe evakuime në kampingje dhe manastire.
Italia përballet me temperatura deri në 39°C në Napoli dhe Palermo dhe në disa rajone është ndaluar puna në ambiente të jashtme. Sakaq, në Greqi dhe Turqi flakët përfshinë zona pranë Athinës dhe Izmirit.
Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike. Studimet parashikojnë trefishim të vdekjeve nga nxehtësia në Evropë deri në fund të shekullit, nëse ngrohja globale vijon me këtë ritëm.