

Nga Zenel Çeliku
Sipas shumë informacioneve që qarkullojnë sot, Partia Demokratike (PD) ndodhet ende në krizë legjitimiteti dhe organizimi, me një strukturë të fragmentuar dhe mungesë uniteti real. Pas zgjedhjeve të 11 majit dhe performancës jo bindëse, PD ende nuk ka arritur të bëjë një analizë të thellë dhe të konsolidojë një lidership të plotë që të bashkojë të gjitha krahët. Baza e militantëve është e lodhur dhe e hutuar, ndërsa strukturat vendore në shumë degë janë pasive ose të ndara në interesa.
Shumë flitet poshtë e lart se brenda PD ka disa grupime që duan të largojnë Sali Berishën nga kreu i partisë dhe të marrin postin e liderit. Në këto rrethana lind natyrshëm pyetja:
A ka grupime brenda PD që duan të marrin kreun e partisë?
Po, aktualisht ka disa grupime të qarta që synojnë të mbajnë kontrollin e partisë dhe të ndryshojnë lidershipin e saj. Këto grupime duan të largojnë Sali Berishën, Flamur Nokën, Jozefina Topallin, Albana Vokshin, Tritan Shehun, Xhelal Mziun e të tjerë që njihen si “Grupi Berisha”. Grupi është si më poshtë:
• Grupi i Sali Berishës
Edhe pse Berisha ndodhet në gjendje arresti, ai ruan një ndikim të fortë mbi një pjesë të madhe të bazës dhe disa figura drejtuese në degë. Synimi i tyre është ruajtja e kontrollit mbi vulën dhe logon e PD-së dhe mbajtja e linjës radikale anti-qeveri. Ky grup nuk pranon dorëheqjen e Berishës pa një marrëveshje për pasuesin dhe ruajtjen e ndikimit në strukturat lokale.
Berisha ka shumë mbështetës si Flamur Noka, Jozefina Topalli, Albana Vokshi, Eno Bozdo, Tritan Shehu, Xhelal Mziu, Denisa Vata, Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri, Manjola Luku, Igli Cara, Tomor Alizoti, Belind Këlliçi e të tjerë. Ky grup e drejton PD-në me dorë të hekurt dhe me autoritet absolut.
• Grupi i Gazment Bardhit
Gazment Bardhi, dikur kundërshtar i hapur i Berishës, është shndërruar në një mbështetës të tij. Ai ka marrë një rol aktiv në PD, duke u përpjekur të krijojë një identitet të ri brenda partisë, por pa u shkëputur plotësisht nga Berisha – të paktën derisa të mos ketë më nevojë për “hijen” e tij.
Mbështetësit e Bardhit përfshijnë Arbi Agalliun, Arjola Pampurin, Dhurata Çupin, Saimir Koreshin dhe Lefter Gështenjën. Bardhi përpiqet të marrë formalisht kreun e partisë, duke argumentuar nevojën për një drejtim të ri, por nuk ka ende forcë të mjaftueshme pa mbështetjen e Berishës ose një pjese të tij. Ky grupim mbetet një alternativë pa Berishën.
• Grupi i Enkelejd Alibeajt
Pas largimit nga PD dhe krijimit të partisë “Djathta 1912”, Alibeaj tashmë ka shprehur hapur idenë për ndryshim të lidershipit në PD, përfshirë edhe largimin përfundimtar të Berishës.
Mbështetësit e tij përfshijnë Eriselda Zotajn, Arbi Agalliun, Agron Kapllanajn, Rezart Kthumin, Bejkon, Flutura Açkën dhe Ervin Kullurin. Ky grup është më i vogël, por kërkon një PD pa Berishën dhe pa tensione të brendshme, për të mundësuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Megjithatë, ka pak ndikim mbi bazën, ndonëse përfaqëson një linjë të qartë pro-perëndimore dhe reformiste.
• Grupi i Jorida Tabakut
Znj. Tabaku ishte kandidatja më e votuar e PD-së në zgjedhjet e 11 majit. Megjithatë, ajo po sulmohet brenda partisë. Mbështetësit e saj përfshijnë Dashnor Sulën, Kreshnik Çellakun, Helidon Bushatin, Orjela Nebiajn, Ramadan Likajn, Eralda Banon dhe Bledion Nallbatin.
Ky grup përfaqëson brezin e ri të drejtuesve lokalë dhe të rinj që kërkojnë ndryshim total. Emra të rinj mund të dalin nëse PD zhvillon zgjedhje të hapura, por për momentin mungon një figurë e fortë që mund të sfidojë Berishën drejtpërdrejt.
Skenarët për të ardhmen e PD-së
Berisha mban kontroll absolut dhe nuk lejon ngritje figurash të reja. Një mundësi reale është që ai të mbështesë vajzën e tij, Argita Malltezi Berisha, si pasuese – nëse ai tërhiqet ndonjëherë. Çdo kundërshtar që del hapur ndaj tij, rrezikon të shpallet “tradhëtar” nga grupi i Berishës.
Gazment Bardhi menaxhon përkohësisht grupin parlamentar nën mbikëqyrjen e Berishës. Nuk ka hapësirë për garë të lirë, dhe figura si Bardhi, Alibeaj apo Tabaku nuk kanë asnjë mundësi reale për të marrë drejtimin e PD-së.
Rreziku i ndarjes së partisë
Në këto kushte, PD rrezikon të ndahet në një linjë radikale dhe një linjë më institucionale. Mund të lindin dy parti të reja nga ajo që dikur ishte forca kryesore opozitare – një skenar që do të ishte fatkeqësi për opozitën shqiptare. “Kokoshi mund të katandiset në një thellë.”