
Pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, ku mandati u fitua me një diferencë prej vetëm 10 votash, deputetja e PS-së Maldrita Bardho njoftoi dje se nuk do të marrë mandatin, duke ia lënë atë rivalës Zegjine Çaushi.
Në një postim në Facebook, Bardho shpjegoi se pavarësisht se ka dhënë kontribut të gjatë për Partinë Socialiste dhe është vlerësuar nga bashkëqytetarët, ajo ka vendosur të vazhdojë angazhimin politik përmes Lushnjës, por pa qenë pjesë e parlamentit.
“Ajo që dua të bëj sot është t’ia lë mandatin koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, që ka luftuar shumë për skuadrën dhe meriton të jetë në Kuvend,” shkroi Bardho, duke theksuar se i ndajnë vetëm 10 vota dhe se Çaushi ka rezultuar më dinjitoze në përballjen me sulmet politike.
Bardho falenderoi votuesit e saj dhe siguroi se do të vazhdojë të jetë e angazhuar me të njëjtin entuziazëm dhe forcë për PS-në dhe komunitetin e Lushnjës.