
Shqipëria renditet e fundit ndër 37 shtete europiane për cilësinë e jetesës, sipas indeksit të Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025, me vetëm 104.1 pikë.
Vendin e fundit e përcakton një kombinim faktorësh: fuqia më e ulët blerëse në kontinent (46.3 pikë), çmime të larta të banesave në raport me të ardhurat (16.3 vite për të blerë një apartament mesatar), si dhe vlerësimi më i dobët për sistemin shëndetësor dhe një nivel shumë të lartë ndotjeje.
Indeksi i Numbeo mbështetet në të dhëna të mbledhura nga përdorues dhe burime të tjera publike, duke përfshirë tetë komponentë kryesorë: fuqinë blerëse, sigurinë, kujdesin shëndetësor, koston e jetesës, përballueshmërinë e banesave, ndotjen, kohën e udhëtimit dhe klimën.
Sipas raportit, një familje shqiptare shpenzon 40% të buxhetit për ushqim – trefishin e mesatares europiane – dhe ndodhet në fund për përballueshmërinë e jetesës, ndërsa sistemi shëndetësor vlerësohet më i dobëti në Europë.
Shqipëria ka një renditje më të mirë vetëm për klimën dhe sigurinë publike. Në krye të listës së cilësisë së jetës janë Luksemburgu, Holanda, Danimarka, Zvicra dhe Finlanda.