
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një tjetër vizitë në Bashkinë e Vlorës, vetëm pak ditë pas dorëheqjes së 21 drejtorëve të këtij institucioni. Vizita nisi me një mbledhje me dyer të mbyllura me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe deputetët e qarkut.
Burime pranë bashkisë bëjnë të ditur se fokusi i takimit ishte ndjekja nga afër e aksionit për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë abuzive, një çështje e ngritur prej Ramës ditët e fundit. Në takim morën pjesë edhe drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi, dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Vizita vjen pas mbledhjes së 3 korrikut, ku Rama kërkoi një ristrukturim të plotë të bashkisë, duke vënë në diskutim performancën e drejtuesve vendorë. Pas kësaj ndërhyrjeje, 21 drejtorë dhanë dorëheqjen. Aksioni për lirimin e hapësirave publike nisi menjëherë një ditë më pas, i mbështetur nga një Task-Forcë që po kontrollon territorin e bashkisë.