
TIRANË, 8 korrik – Gjykata e Lartë shqyrton sot në orën 12:00 kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së “arrestit me burg” me një masë më të lehtë sigurie. Seanca do të zhvillohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, me relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe anëtarë Medi Bici e Sokol Binaj.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt dhe ndodhet në burg nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Më 17 qershor, GJKKO refuzoi kërkesën e tij për lirim kundrejt garancisë pasurore.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë shqyrton edhe rekursin e biznesmenit Elman Abule, i cili ndodhet në arrest shtëpie për pastrim parash në të njëjtën dosje. Përveç Veliajt, nën hetim janë edhe disa familjarë të tij dhe biznesmenë të tjerë.