
NEZUK, 8 korrik – Mijëra qytetarë nga Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera u nisën sot nga fshati Nezuk për të përshkuar rrugën 110 kilometërshe drejt Potoçarit, në kuadër të Marshit të Paqes që mbahet çdo vit në nderim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
Ngjarja shënon 30-vjetorin e masakrës së korrikut 1995, kur forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë në zonën e shpallur “të sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Marshuesit ndjekin të njëjtën rrugë që mijëra banorë të Srebrenicës përshkuan në përpjekje për t’u larguar nga ofensiva serbe.
Që nga përfundimi i luftës, mbi 50 persona janë dënuar me gjithsej rreth 780 vjet burg për rolin në masakrën e Srebrenicës. Ndër ta, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Përkujtimorja në Potoçari do të jetë qendra e ceremonive më 11 korrik, me prani të të mbijetuarve, familjarëve të viktimave dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.