
Nga Zenel Çeliku

Në dekadat e fundit, Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ajo është anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2014. Marrëdhëniet diplomatike me vendet e BE-së, SHBA-në dhe fqinjët janë përmirësuar ndjeshëm, ndonëse sfida si korrupsioni dhe sundimi i ligjit në perceptimin ndërkombëtar kanë ende për t’u përmirësuar.
Mjaft pozitive për Shqipërinë është se tashmë ne jemi anëtare aktive në NATO. Mbështetja e fortë nga SHBA dhe vendet kryesore të BE-së për Shqipërinë është rritur ndjeshëm si asnjëherë më parë. Roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon si ndërmjetësues në Ballkanin Perëndimor është i qartë dhe prezent kudo ku ka probleme rajoni ynë. Kjo, pa dyshim, është tregues se tashmë Shqipëria në arenën ndërkombëtare gëzon një imazh simpatik dhe vlerësim të madh.
Ndërkombëtarët në mënyrë të drejtpërdrejtë shprehin perceptimin e tyre për korrupsion të lartë, problemet e vazhdueshme me emigracionin dhe për krimin e organizuar. Në vitet e fundit, Shqipëria është bërë “kryeqyteti i Europës”, ku janë organizuar disa evente ndërkombëtare të rëndësishme, ku zyra zyrtare e Tiranës ka qenë promotor i këtyre eventeve si ngjarje të rralla për vendin tonë.
Ekonomia, investimet e huaja dhe ato vendase janë rritur ndjeshëm. Potenciali turistik i madh, veçanërisht në Rivierën Shqiptare, ka ndikuar mjaft mirë në ekonominë e vendit. Ekonomia shqiptare është në rritje të qëndrueshme, por vendi ynë ende perceptohet si një treg me rreziqe. Kështu, potenciali turistik dhe burimet natyrore kanë rritur interesin e investitorëve të huaj, sidomos nga Evropa dhe Lindja e Mesme.
Një element i rëndësishëm negativ, por që ka përmirësime të dukshme, është mungesa e transparencës në administratë dhe drejtësi. Këto janë çështje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e qytetarëve tek institucionet. Korrupsion pa kontroll publik, që do të thotë se zyrtarët mund të abuzojnë me detyrën, bën që qytetarët të humbasin besimin tek institucionet dhe proceset demokratike.
Ka mjaft raste pabarazie para ligjit. Vendimet në organet e drejtësisë janë të pandërgjegjshme si në rastin e para dy ditëve nga një prokurore e Shkodrës, apo vendime të ndikuara politikisht që dëmtojnë ndjeshëm drejtësinë. Shumë e rëndësishme është pengimi i medias dhe shoqërisë civile kur nuk iu ofrohet informacion i plotë. Roli mbikëqyrës i mediave dhe OJQ-ve bëhet i vështirë.
Vitet e fundit ka mjaft ndryshime pozitive për Shqipërinë. Vlerësimi politik i një qeverie ndryshon në varësi të burimit të informacionit, kohës dhe këndvështrimit politik. Në rastin e Qeverisë Shqiptare, e drejtuar nga PS, ka mjaft vlerësime të ndryshme politike pozitive. Shqipëria vlerësohet pozitivisht për stabilitet politik dhe institucional. Shqipëria ka ruajtur një stabilitet relativ në rajon, me qeveri të qëndrueshme.
Procesi i integrimit në BE nga 2013–2025, vlerësohet mjaft mirë. Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE, gjithashtu ka hapur edhe pothuajse të gjithë kapitujt. Projektet infrastrukturore serioze, lidhur me investime të konsiderueshme në infrastrukturë, sidomos në turizëm, rrugë dhe energji, janë tjetër vlerësim pozitiv për vendin tonë. Shumë e rëndësishme është se tashmë Shqipëria shquhet në Ballkanin Perëndimor për diplomaci aktive, por edhe më gjerë. Roli i Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare si anëtarësimi i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është tregues i këtij profili në rritje.