
Tiranë, 10 korrik — Qeveria ka miratuar shtesa të reja në vendimin për mbështetjen financiare të bujqësisë për vitin 2025, duke zgjeruar ndjeshëm kategoritë e investimeve të përfshira dhe lehtësuar aksesin në fondet publike.
Vendimi parashikon pagesa paraprake deri në 30% për përfituesit e investimeve, pas nënshkrimit të kontratës, me garanci bankare ose sigurimi. Masa synon të ulë barrën fillestare për fermerët dhe agrobizneset.
Fokus te prodhimi, përpunimi dhe agroturizmi
Investimet e mbështetura përfshijnë:
- Serrat diellore: deri në 15 mln lekë/ha për perime, 8 mln lekë/ha për rrush tavoline, dhe 4 mln lekë/ha për luleshtrydhe.
- Mbjelljet e reja: 800 mijë lekë/ha për pemëtore, ullinj, agrume, vreshta.
- Sistemet e ujitjes: deri në 250 mijë lekë/ha.
- Mbrojtja nga breshëri: deri në 1.5 mln lekë/ha.
- Stalla dhe kapanone: deri në 15 mln lekë për njësi, për minimum 10 lopë, 100 të imëta, 10 dosa ose 10 000 shpendë.
- Mekanizim dhe pajisje: deri në 5 mln lekë për subjekt.
- Përpunim, paketim dhe etiketim: deri në 7.5 mln lekë për subjekt.
- Agroturizëm dhe akuakulturë: deri në 15 mln lekë për subjekt për struktura dhe koshat e peshkut.
Buxheti total: 2 miliardë lekë
Nga fondi total, 537.8 milionë lekë janë alokuar për vitin 2025. Pjesa tjetër do të përdoret në vijim, sipas PBA 2026–2028.
Ministria e Bujqësisë do të zbatojë vendimin. Objektivi: rritja e kapaciteteve prodhuese dhe nxitja e investimeve të qëndrueshme në sektorin rural.