
Riga, 10 korrik — Ministri i Jashtëm Igli Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Riga, ku u prit nga homologja letoneze Baiba Braže. Të dy ministrat rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ranë dakord për një bashkëpunim më të strukturuar.
“Ka potencial real për të thelluar bashkëpunimin në sigurinë kibernetike, arsimin, turizmin dhe kulturën,” deklaroi Hasani. Ai falënderoi Letoninë për mbështetjen në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë “vendimtare për kohezionin strategjik të BE-së”.
Ministri theksoi rolin e Letonisë si aleate në Bruksel dhe partner me përvojë në reformat që lidhen me anëtarësimin. “Presim të mësojmë nga përvoja e Letonisë në qeverisjen digjitale dhe administratën publike,” u shpreh ai.
Gjatë vizitës, Hasani vizitoi edhe kontingjentin shqiptar në Kampin ?daži. “Krenar për çdo ushtarak shqiptar që përfaqëson denjësisht angazhimin tonë në NATO,” tha ministri.
Vizita përkoi me 97-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe 33 vjet nga rivendosja e tyre. Shqipëria dhe Letonia synojnë një partneritet afatgjatë në kuadër të sigurisë dhe stabilitetit europian.