
Washington, 13 korrik 2025 – Mbi 1.300 punonjës të Departamentit Amerikan të Shtetit janë larguar nga detyra pas një urdhri të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, për një riorganizim të thellë të strukturës diplomatike amerikane.
Mes të larguarve është edhe ish-ambasadorja në Shqipëri, Yuri Kim, e cila u pa duke ngushëlluar kolegët jashtë godinës së DASH-it, në një atmosferë të mbushur me emocione dhe protesta spontane. Kim e cilësoi këtë si “një ditë të trishtë për Shërbimin e Jashtëm.”
Qindra ish-punonjës dhe mbështetës protestuan jashtë ndërtesës, duke e quajtur masën një “spastrim politik” të administratës Trump. Largimet kanë shkaktuar reagime të forta nga diplomatët në detyrë dhe ish-zyrtarë amerikanë.
Ky është një nga riorganizimet më të mëdha të Departamentit të Shtetit në dekada, dhe pasoja e tij mbetet në vëzhgim nga komuniteti ndërkombëtar.