
Tiranë, 14 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar prerë ndaj polemikave për ndërhyrjet në Theth, duke e cilësuar operacionin “të drejtë dhe të domosdoshëm”. Ai konfirmoi se 40 objekte pa leje janë shembur dhe deklaroi se ato “nuk i përkasin banorëve të zonës, por individëve që kanë ndërtuar për përfitim”.
“Bëhet fjalë për pushtim të zemrës së Thethit, jo për ndonjë të shkretë që kërkon të fusë kokën. Ndërtime për fitim, jo për strehë,” tha Rama gjatë një takimi me deputetët e Tiranës.
Ai shtoi se policia ka nisur hetime për të identifikuar “kush qëndron pas këtij uzurpimi të planifikuar”, ndërsa kritikoi heshtjen e prokurorisë, duke përmendur rastin e prokurores Elsa Gjeli që refuzoi të nisë hetime.
Rama nënvizoi se qeveria ka përmbushur premtimin për legalizimin e 300 shtëpive tradicionale në Theth, por nuk do të lejojë më abuzime: “Nuk do ketë më ‘ndërto sot, legalizo nesër’. Kjo histori ka mbaruar.”
Ai paralajmëroi një ofensivë kombëtare ndaj zaptimit të territorit dhe njoftoi se një akt normativ do të formalizojë masat e reja. Rilindja Urbane 2.0 do të nisë me riprojektimin e hapësirave të çliruara, me një grup të posaçëm prej 80 arkitektësh.
“Do të jetë e vështirë, por do të vazhdojmë deri në fund. Nuk ka pronë private mbi hapësirën publike. Nuk ka trotuar privat,” përfundoi Rama.