
Qeveria shqiptare po përgatit ndryshime në skemën e taksimit të pronës, që pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026. Sipas draftit të diskutuar, qytetarët që zotërojnë më shumë se një banesë do të përballen me një taksë më të lartë.
Aktualisht, taksa mbi pronën është 0.05% e çmimit të referencës, por me ndryshimet e reja, bashkitë do të kenë mundësinë ta çojnë këtë normë në 0.1% deri në 0.2%. Kjo do të thotë dyfishim deri në katërfishim të detyrimit vjetor për pronën e dytë apo të tretë.
Rritja e taksës, e kombinuar me çmimet në rritje të referencës, pritet të ndikojë drejtpërdrejt pronarët aktualë dhe ata që do të blejnë pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit. Synimi i kësaj mase është të shtyjë për qarkullim më të madh të pronave në treg dhe të frenojë mbajtjen e tyre bosh, me shpresën për të ndikuar në uljen e çmimeve të banesave.