
Tiranë – Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nayan, ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai mbërriti mbrëmjen e kaluar në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku u prit nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Kryeministri Rama ndau momente nga mbërritja në rrjetet sociale, duke e cilësuar Presidentin Al Nayan si një “mik të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar”. Rama shoqëroi postimin edhe me vargje simbolike nga Fan Noli, në shenjë respekti për lidhjen mes dy vendeve.
Takimi i djeshëm në Tiranë mes Presidentit Al Nayan dhe kryeministrit Rama u përqendrua në thellimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Emirateve. Në deklaratën e tij publike, Presidenti Al Nayan theksoi shkëmbimin e mendimeve për çështje rajonale e ndërkombëtare dhe riafirmoi angazhimin për avancimin e paqes dhe stabilitetit.
Vizita vjen pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme në shkurt, përfshirë bashkëpunimin midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe një letër angazhimi për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë me “Presight AI Ltd”, në praninë e dy liderëve.