
Tiranë – Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregullat e prokurimeve ushtarake, me synim modernizimin e proceseve dhe rritjen e sigurisë në kontratat për pajisje dhe teknologji mbrojtëse.
Ndryshimet përfshijnë rregulla më të rrepta për kompanitë pjesëmarrëse, zgjerim të fushës së kontratave dhe procedura të reja për bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe kompani shtetërore shqiptare.
Lista e arsyeve për skualifikim të ofertuesve tani përfshin dënime për krime të rënda, si korrupsion, terrorizëm apo pastrim parash, si dhe mosrespektim të detyrimeve ndaj shtetit.
Prokurimet “shtet me shtet” do të mund të kryhen edhe me vende partnere jashtë NATO-s, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të ketë më shumë fleksibilitet për të bashkëpunuar me shoqëri aksionare shqiptare në industrinë e mbrojtjes.