
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër ndryshimet e propozuara nga qeveria për Kodin Penal, duke thënë se janë bërë pa asnjë konsultim publik dhe e zhysin sistemin juridik në pasiguri.
“Stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike. Ndryshimet e shpeshta e shkatërrojnë këtë stabilitet,” tha Berisha nga selia e PD-së.
Ai kujtoi se ky është Kodi i tretë Penal në 30 vite, pas atij të vitit 1995 dhe Kodit të vitit 2014. “Pa u mbushur 10 vite, del një tekst i ri nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim me avokatët, gjyqtarët apo shoqërinë civile,” u shpreh Berisha.
Lideri i PD-së kundërshtoi edhe propozimin për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm, duke thënë se ky Kod “i jep një shans vrasësve serialë” dhe e quajti atë “infrastrukturë ligjore të narkoshtetit”.