
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar me një letër publike nga paraburgimi në Durrës, ku i përgjigjet akuzave të SPAK, duke i quajtur ato të pabazuara dhe politike.
Veliaj thotë se në 12 vite detyrë publike – 2 vite ministër dhe 10 vite kryetar bashkie – nuk është gjetur asnjë shkelje në projektet e zbatuara nga ai. Ai akuzon SPAK për “linçim politik” dhe për përfshirjen e padrejtë të familjarëve në hetim, duke e cilësuar procesin si një formë persekutimi.
Në letrën e tij, Veliaj ngre 7 pyetje për institucionet e drejtësisë, duke kërkuar shpjegime për rrjedhjet e informacionit në media, ndalimin e kontakteve me avokatët ndërkombëtarë dhe vonesat në procesin gjyqësor.
“Kam kaluar një vetting 21-vjeçar, nga i cili nuk u gjet asnjë shkelje. Akuza ndaj meje është thjesht një grusht thashethemesh e supozimesh,” shkruan ai, duke paralajmëruar një betejë të gjatë ligjore për të provuar pafajësinë e tij.