
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi sot draftin e Kodit të ri Penal të propozuar nga qeveria si “një atentat madhor kundër fjalës së lirë”, duke akuzuar se ky draft “ka dalë nga shpellat e mafies”.
Berisha kritikoi ashpër përmbajtjen e Kodit, duke theksuar se ai “shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët” dhe se është hartuar pa konsultim me institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme.
“Burg për parkime, për faturat e dritave dhe të ujit, burg për ndërtim në pronën tënde, ndërsa dënimet për zyrtarët abuzivë përgjysmohen. Ky është një sulm i paprecedentë ndaj lirive dhe të drejtave të qytetarëve,” tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu se disa nene janë hartuar “për të mbrojtur” figura të drejtësisë si Altin Dumani dhe Irena Gjoka, duke e quajtur draftin “absurd dhe të papranueshëm”.