
Drama politike rreth mandatit të vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë ka marrë sot një kthesë të papritur. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi të rrëzojë vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke i dhënë mandatin Ana Dajkos – e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit në zgjedhjet e 11 majit.
Më herët, Celibashi ia kishte kaluar mandatin Kleana Xhuvelit, ndërsa Lëvizja “Shqipëria Bëhet” kishte kërkuar që ai t’i shkonte Adriatik Lapajt. Por KAS, me relatimin e Elvis Çefës, e konsideroi të pavlefshme dorëheqjen e kandidatëve të listës së koalicionit ditën e zgjedhjeve, duke e quajtur atë një “akt nul”.
“Akti i dorëheqjes nga kandidimi, i bërë ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur të subjektit zgjedhor, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të merret në konsideratë,” u shpreh Çefa, duke shtuar se një veprim i tillë do të sillte prishjen ligjore të listës dhe ndalimin e konkurrimit të subjektit në zgjedhje.
Ky vendim i KAS jo vetëm që i hap rrugën Dajkos drejt Kuvendit, por edhe i jep fund një beteje të tensionuar politike dhe ligjore, duke lënë mënjanë pretendimet për manovra strategjike brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.