
Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë ka paralajmëruar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët komercialë që ende nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar, pas përfundimit të afatit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) më 30 korrik.
ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit të tregut është ligjor dhe transparent, i mbështetur edhe nga vendimet e gjykatave kompetente. “Nuk ka zgjatje me vendim administrativ – nga sot, ndërprerjet do të zbatohen për ata që nuk janë pjesë e tregut të hapur,” thuhet në njoftim.
Bizneset e Dhomës së Tregtisë paralajmërojnë veprime të ashpra nëse vendimi nuk tërhiqet, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin financiar dhe rrezikun për mbyllje të aktiviteteve.
ZRRE ka publikuar listën e furnizuesve të licencuar dhe i bën thirrje të gjithë operatorëve të veprojnë pa vonesë për të shmangur pasojat.