
Në një mbledhje të zhvilluar të enjten, Bashkia e Tiranës ka pësuar një ndërhyrje të thellë në strukturën e saj drejtuese. Katër nga nënkryetarët aktualë – Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili – kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre, duke hapur rrugën për një përbërje të re në majën e administratës lokale.
Vendin e tyre e zënë Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero, të cilët janë përzgjedhur pas një procesi intervistimi të zhvilluar nga një grup pune i posaçëm, i udhëhequr nga figura me peshë në politikën dhe administratën publike.
Ky riformatim vjen në një moment kur Bashkia e Tiranës vijon të drejtohet nga Anuela Ristani, e komanduar në postin e kryetares, pas mungesës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili prej muajsh ndodhet në paraburgim.
Lëvizjet në krye të bashkisë janë pjesë e një vale më të gjerë ndryshimesh në administratën vendore, të cilat janë sinjalizuar më herët si pjesë e një procesi “rifreskimi” në drejtim të efikasitetit dhe qartësisë në funksionim. Tirana mbetet epiqendra e këtij riorganizimi, me vëmendjen e veçantë që mbart çdo ndryshim në kryeqytet.