
Deputeti Dashnor Sula ka folur pa doreza mbi arsyet e largimit të tij nga Partia Demokratike dhe gjendjen aktuale të kësaj force politike. I ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, Sula drejtoi kritika të forta ndaj strukturës drejtuese të PD-së, duke vënë në qendër të akuzave sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka.
“Për mua është fyerje për demokratët që një njeri me zhvillim mesatar intelektual të jetë numri dy i partisë,” u shpreh ai, duke e cilësuar emërimin e Nokës si simbol të një krize më të thellë përfaqësimi brenda PD-së.
Sipas Sulës, Partia Demokratike nuk toleron mendimin ndryshe dhe i përjashton figurat që guxojnë të jenë kritikë. “Nuk i duan njerëzit që ua thonë të vërtetën në sy,” tha ai, duke nënvizuar se ndryshe nga PS, ku vlerat elektorale peshojnë përtej marrëdhënieve personale, në PD përjashtimi vjen si pasojë e inateve.
Në qëndrimet e tij pati edhe nota të qarta përçarjeje rajonale. Sula kritikoi përqendrimin e drejtimit të PD-së te figura me origjinë nga veriu i vendit, duke kërkuar më shumë balancë dhe përfaqësim të gjerë.
Ai përfundoi me një akuzë për mungesë morali në radhët e ish-kundërshtarëve të Foltores, që sot sipas tij “hanë e pinë në një tavolinë me të njëjtët njerëz që dikur i shanin dhe i dhunonin”.
Deklaratat e Sulës vijnë në një moment tensioni të vazhdueshëm brenda PD-së, ku lëvizjet e fundit dhe marrëdhëniet mes fraksioneve politike brenda partisë vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe shpesh të paparashikueshme.