
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të enjten masa të reja dhe rregullore të posaçme për kantieret e ndërtimit në zonat urbane, me qëllim reduktimin e ndikimit ndaj komunitetit përreth.
Në një komunikim live me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama tha se ndërtuesit do të jenë të detyruar të marrin masa që kantieri të mos bëhet “problem i zonës”. Sipas tij, rregullorja do të kërkojë rrethime të plota të kantierëve, ndalim të zaptimit të trotuareve dhe do të shoqërohet me kontrolle të shtuara.
“Masat do të jenë drastike,” tha Rama, duke shtuar se nuk do të tolerohen më ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike. Ai paralajmëroi se “lojërat e maces me miun” do të marrin fund dhe bëri thirrje qytetarëve të raportojnë shkeljet përmes një portali të ri që do të hapet së shpejti.
Kryeministri tha se do të ketë ndërhyrje në zona si “21 Dhjetori”, “Komuna e Parisit” dhe “5 Maji”, përmes projekteve urbanistike dhe transformimeve funksionale si ndërtimi i parkimeve nëntokësore në vend të pallateve.
Rama përmendi gjithashtu nisjen e bashkëpunimit me një ekspert ndërkombëtar të planifikimit urban, i njohur për projektet e tij në Barcelonë.