
Të paktën 68 emigrantë etiopianë kanë humbur jetën dhe 74 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një anije u mbyt në Gjirin e Adenit, pranë brigjeve të provincës Abjan në jug të Jemenit. Agjencia e OKB-së për migracionin konfirmoi se vetëm 12 persona kanë mbijetuar nga 154 që ndodheshin në bord.
Autoritetet vendase kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa tragjedia konsiderohet pjesë e një serie incidentesh të përsëritura në këtë rrugë të rrezikshme migrimi.
Pavarësisht luftës civile në Jemen, ky vend mbetet një korridor kyç për emigrantët nga Afrika Lindore që synojnë të arrijnë në vendet e Gjirit Arab për punë. Emigrantët udhëtojnë shpesh me anije të mbipopulluara dhe të pasigurta, të drejtuara nga kontrabandistët.
Sipas IOM, në muajt e fundit qindra emigrantë kanë humbur jetën në përmbytje të ngjashme në ujërat mes Jemenit dhe Xhibutit. Vetëm në mars, 186 emigrantë u zhdukën pas përmbysjes së katër anijeve.
Më shumë se 60.000 emigrantë kanë hyrë në Jemen në vitin 2024, një rënie krahasuar me 97.200 në vitin 2023, sipas IOM, për shkak të shtimit të patrullimeve në det.