18.09.2026
Rajoni

MACRON–VUÇIÇ DISKUTOJNË PËR BALLKANIN, DIALOGUN DHE BOSNJËN

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke vënë theksin te dialogu Kosovë–Serbi dhe situata në Bosnje-Hercegovinë.

Macron tha se ka rikujtuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe dënoi çdo veprim të njëanshëm që e dëmton atë. Ai theksoi mbështetjen për stabilitetin, unitetin dhe sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Biseda u zhvillua një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, i cili e cilësoi situatën rajonale si të rrezikuar, pas vendimit të gjykatës së Bosnjës për të dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga aktiviteti politik.

Macron tha se Serbia ka vendin e saj në Europë dhe shprehu shpresën për progres në reformë dhe anëtarësim. Vuçiç, nga ana tjetër, tha se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe stabilitetit, duke përmendur mbrojtjen e popullit serb si interes kyç kombëtar.

Ai e ftoi presidentin francez për një vizitë në Beograd.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.