
Qeveria shqiptare do të zbatojë një regjim të unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset, duke përfshirë sektorin e teknologjisë së informacionit, strukturat akomoduese dhe bizneset sezonale.
Sipas Ministrisë së Financave, trajtimi preferencial për këta sektorë do të hiqet gradualisht, në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. Këto masa synojnë të rrisin të ardhurat buxhetore dhe të shmangin trajtimin e pabarabartë fiskal ndërmjet sektorëve.
Vetëm në vitin 2022, përjashtimet dhe normat e ulëta tatimore shkaktuan humbje prej mbi 101 miliardë lekësh ose 4.76% të PBB-së. Tatimi 0% për bizneset e vogla llogaritet të ketë kontribuar me humbje prej 0.77% të PBB-së.
Sipas Ministrisë, këto përjashtime nuk do të jenë të përhershme dhe parashikohet të shfuqizohen plotësisht deri në vitin 2029.
Reforma është hartuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe synon të përafrojë Shqipërinë me standardet fiskale të Bashkimit Evropian. Përjashtim do të vijojë të bëjë mbështetja për startup-et.