
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka mohuar akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendon se Ministri Igli Hasani ka ushtruar presion ndaj misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në një deklaratë zyrtare, MEPJ thekson se letrat dërguar ODIHR-it përmbajnë vetëm sqarime dhe kontekst shtesë mbi raportin paraprak, duke i konsideruar si pjesë e një praktike të zakonshme diplomatike. Ministria nënvizon se marrja në konsideratë e këtyre sqarimeve është në diskrecionin e vetë ODIHR-it.
Sipas MEPJ-së, misioni i ODIHR-it ka konfirmuar se nuk ka ndjerë asnjë presion dhe nuk është përpjekur të ndikohet në punën e tij.
Reagimi vjen pas publikimit nga Berisha të letrës së ministrit Hasani, të cilën e cilësoi si përpjekje për të ndikuar përmbajtjen e raportit përfundimtar të zgjedhjeve.