
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bisedoi sot me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, i cili vlerësoi “rolin thelbësor” të Italisë në mbështetjen humanitare dhe qëndrimet e saj mbi konfliktin.
Meloni shprehu shqetësim për vendimet e fundit izraelite që, sipas saj, rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak, dhe theksoi se situata humanitare në Gaza është e pajustifikuar dhe e papranueshme. Ajo përsëriti thirrjen për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive për të vijuar dërgesat e ndihmës.
Kryeministrja tha se Hamas duhet të lirojë të gjithë pengjet dhe të pranojë se nuk ka të ardhme në qeverisjen e Rripit të Gazës. Italia vazhdon angazhimin humanitar përmes nismës “Ushqim për Gazën”, dërgesave ajrore dhe evakuimit të më shumë se 150 fëmijëve për trajtim.