
Nga Zenel Çeliku

Sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të takohet ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaska, për një samit me rrezik të lartë që mund të përcaktojë jo vetëm trajektoren e luftës në Ukrainë, por edhe fatin e sigurisë evropiane. Takimi i ofron presidentit Trump një shans për t’i provuar botës se ai është një mjeshtër i negociatave dhe një paqebërës global. Ai dhe aleatët e tij e kanë paraqitur si një negociator që mund të gjejë mënyrën për t’i dhënë fund masakrës—diçka që ai dikur premtonte se mund ta bënte shpejt.
Ka gjasa që Putini ta shohë këtë samit si një mundësi të kërkuar prej kohësh për të negociuar një marrëveshje që do të çimentonte fitimet e Rusisë, do të bllokonte përpjekjen e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n dhe, me strategji për ta tërhequr, ta sillte Ukrainën sërish në orbitën e Moskës. Ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme për Trumpin—që samiti të rezultojë i suksesshëm ose jo. Duke e sjellë Putinin në tokë amerikane, presidenti Trump po i jep udhëheqësit rus vlerësimin që ai dëshiron pas pushtimit të Ukrainës tre vjet e gjysmë më parë.
Përjashtimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy nga samiti i jep një goditje parimit perëndimor “asgjë për Ukrainën—pa Ukrainën” dhe nuk është çudi që, duke menduar një strategji historike, Trump të përpiqet shumë për një marrëveshje që Ukraina mund të mos e dëshirojë. Çdo sukses është i pasigurt, veçanërisht pasi Rusia dhe Ukraina mbeten larg në kërkesat për paqe. Putini ka refuzuar prej kohësh një armëpushim të përkohshëm, duke e kushtëzuar me ndalimin e furnizimeve perëndimore me armë dhe me ngrirjen e përpjekjeve për anëtarësimin e Ukrainës në NATO—kushte të hedhura poshtë nga Kievi dhe aleatët e tij.
Trump një ditë më parë deklaroi se ka “një shans 25%” që samiti të dështojë, por hodhi edhe idenë se, nëse takimi ka sukses, ai mund ta sjellë Zelenskyyn në Alaska për një takim të afërt trepalësh—një mundësi për të cilën Rusia nuk ka rënë dakord. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, lidhur me deklaratën e Trumpit për “25%” dështim, tha se Rusia “nuk planifikon kurrë paraprakisht”: “Ne e dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Ne do ta deklarojmë atë,” u shpreh ai në një postim të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Në një intervistë radiofonike për Fox News, Trump tha se nuk e dinte nëse do të arrihej “një armëpushim i menjëhershëm”, por se ai dëshiron “një marrëveshje të gjerë paqeje” të arritur shpejt. Kjo duket se përputhet me argumentin afatgjatë të Putinit se Rusia favorizon një marrëveshje gjithëpërfshirëse që pasqyron kërkesat e saj, e jo një ndalim të përkohshëm të armiqësive. Sipas Kremlinit, Trump dhe Putin do të ulen fillimisht për një bisedë kokë më kokë, më pas do të takohen dy delegacionet dhe diskutimet do të vijojnë gjatë një “mëngjesi pune”. Pritet që ata të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.