
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Washington disa orë para takimit me presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë për të diskutuar fundin e luftës me Rusinë.
Pak para bisedimeve, Trump ushtroi presion mbi Zelenskyn, duke thënë se ai mund t’i japë fund luftës “pothuajse menjëherë” nëse dëshiron. Ai përjashtoi gjithashtu mundësinë që Ukraina të hyjë në NATO ose të rimarrë Krimenë e pushtuar nga Rusia.
“Presidenti Zelensky i Ukrainës mund ta përfundojë luftën pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë. Nuk ka kthim mbrapsht të Krimesë dhe nuk ka hyrje të Ukrainës në NATO. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!!!”, shkroi Trump në Truth Social.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet sot me pjesëmarrjen e Zelenskyt dhe disa liderëve evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez Alexander Stubb, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Bisedimet zhvillohen pas samitit në Alaska mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku ky i fundit kërkoi njohjen formale të Krimesë si territor rus dhe lehtësimin e disa sanksioneve.