
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka sulmuar publikisht prokuroren Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu, ndërsa institucionet e drejtësisë nuk reaguan. Ai tha se kjo përbën një rrezik për pavarësinë e gjyqësorit.
“Rama u vërsul ndaj prokurores Gjeli dhe gjyqtarit Balliu vetëm pse ata zbatuan ligjin. KLGJ dhe KLP duhej t’i mbronin, por zgjodhën heshtjen”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, Rama e kishte kritikuar Gjelin për mosveprim ndaj ndërtimeve pa leje në Theth, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat për ta kallëzuar pranë KLP-së.
Berisha akuzoi gjithashtu kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për lidhje me “kartelin Troplini” dhe tha se bandat kriminale gëzojnë mbrojtje nga institucionet. Ai e cilësoi problematike edhe një ligj të ri që i jep SPAK-ut të drejtë të përgjojë gjyqtarët.
Berisha ndodhet nën masën “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, ku akuzohet për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.