
Ambasada amerikane në Prishtinë paralajmëroi se bllokada politike po dëmton Kosovën dhe u bëri thirrje partive të punojnë për themelimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Deklarata erdhi pas dështimit të seancës konstituive, ku asnjë prej kandidateve të propozuara nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme. BE dhe ambasada italiane i bënë të njëjtin apel.
Pesë muaj pas zgjedhjeve, partitë mbeten të ndara: Vetëvendosje akuzon PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për bllokim; PDK kushtëzon votën me një kandidat të ri; LDK refuzon çdo emër nga Vetëvendosje; ndërsa AAK parashikon një tjetër dështim.