
Nga Zenel Çeliku

Protestat masive në Serbi, po zhvillohen në Beograd, por edhe në Novi Sad, ku ndodhi tragjedia me 16 viktima, pasi streha e një stacioni hekurudhor u shemb. Protestat e fuqishme studentore dhe qytetare po rrezikojnë pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, presidentit serb me një linjë politike të ashpër. Përplasjet e dhunshme po përshkallëzohen në protestat antiqeveritare në Serbi. Policia akuzohet për brutalitet ndaj demonstruesve, ndërsa trazirat vazhdojnë pa ndalim.
Protestat antiqeveritare në Serbi u përshkallëzuan pas brutalitetit dhe përdorimit të tepruar të forcës nga policia. Në protestat e një dite më parë, policia qëlloi me gaz lotsjellës mbi demonstruesit dhe u përpoq të ndante përplasjet midis protestuesve antiqeveritarë dhe atyre proqeveritarë. Dhjetëra protestues u plagosën në këto përplasje të dhunshme, ndërsa qindra u ndaluan nga policia gjatë protestave, të cilat janë kundër korrupsionit dhe në mbështetje të demokracisë. Tashmë mund të thuhet me plot gojën se këto protesta kanë arritur në pikën e vlimit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se shteti është më i fortë se çdo protestë dhe vlerësoi policinë për sjelljen e saj gjatë demonstratave të fundit. Sipas shumë vëzhguesve, kjo deklaratë e Vuçiçit tregon një fazë dëshpërimi dhe pafuqie, kur nuk ka më asgjë për t’u ofruar studentëve dhe qytetarëve përveç dhunës, shkopinjve dhe metodave jo demokratike.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, u shpreh se policia nuk ka përdorur forcë të tepruar, duke fajësuar demonstruesit për sulmin e dyshuar ndaj forcave të rendit. Megjithatë, videot në rrjetet sociale tregojnë policinë duke rrahur protestuesit me shkopinj gome.
Tubimet u mbajtën nën sloganin: “Le t’i tregojmë pushtetit të Vuçiçit se protestuesit nuk janë një thes boksi.” Përleshjet e rrezikshme ndodhën midis policisë dhe protestuesve antiqeveritarë, ndërsa demonstruesit proqeveritarë u akuzuan se hodhën fishekzjarrë, gurë dhe shishe qelqi drejt kundërshtarëve të tyre.
Edhe pas protestave të fuqishme për më shumë se 9 muaj, qeveria serbe është tronditur, por Vuçiç vazhdon të mbetet në pushtet, pavarësisht akuzave se ka shtypur liritë demokratike dhe ka lejuar korrupsionin të lulëzojë. Nisur nga kjo situatë shpërthyese, Vuçiç ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, që mund të transmetohej në të gjitha televizioni dhe portalet. Protestuesit antiqeveritarë e fajësojnë qeverinë e tij për korrupsion të rrënjosur, sidomos në projektet shtetërore të infrastrukturës.
Situata politike në Serbi është shumë delikate dhe frika për destabilizim është e dukshme. Një destabilitet i mundshëm në Serbi mund të përhapet edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, çka nuk i intereson askujt. Për këtë arsye, shumëkush mendon se qeveria aktuale duhet të largohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike dhe për t’i dhënë fund korrupsionit shtetëror.
Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KE), Alain Berset, deklaroi se KE është e shqetësuar nga protestat e dhunshme në Serbi. Ai bëri thirrje për qetësi dhe respektim të së drejtës për tubim paqësor. Autoritetet serbe, theksoi Berset, duhet të mbështesin standardet e KE-së: sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.