
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në Beograd, pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të BE-së Peter Sorensen, se prioritet i dialogut me Kosovën duhet të jetë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mbrojtja e të drejtave të serbëve.
Ai akuzoi autoritetet në Prishtinë se po përpiqen të ndalojnë Listën Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje, gjë që sipas tij rrezikon liritë politike të komunitetit serb. Vuçiç theksoi se politika e Serbisë mbetet “politika e paqes dhe e kompromisit”, por edhe e vendosur për të mbrojtur interesat shtetërore.
Sorensen, i cili më herët këtë muaj ishte në Prishtinë për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tha se procesi i dialogut është “aktiv”. BE-ja e konsideron marrëveshjen e vitit 2023 detyruese, megjithëse nuk është nënshkruar.
Raundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi u zhvillua më 10 qershor, ndërsa takimi i fundit në nivel të lartë daton që në shtator 2023, pak para sulmit në Banjskë.