
Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë së nderimit të zjarrfikësve që luftuan flakët në ditët e fundit, akuzoi disa gjyqtarë dhe prokurorë se po veprojnë kundër interesit publik.
Ai tha se, ndërsa mijëra punonjës me uniformë sakrifikuan deri në vetëmohim për të shpëtuar pasuritë pyjore, disa vendime gjyqësore kanë shkelur sakrificat duke favorizuar zjarrvënësit. Rama paralajmëroi pasoja për çdo gjyqtar e prokuror që, sipas tij, “sulmon shtetin” me vendime të tilla.
“Do t’i vëmë përpara përgjegjësisë publike e institucionale, pa lënë asnjë gur ligjor pa lëvizur”, tha ai, duke shtuar se qeveria do të mbështesë vetëm ata që luftojnë korrupsionin dhe krimin në mbrojtje të interesit publik.
Rama theksoi se shembullin më të mirë e dhanë zjarrfikësit, duke treguar se shumica dërrmuese e punonjësve të shtetit punojnë çdo ditë për ta ngritur vendin më lart.