
Një 22-vjeçar nga Kosova, E.S., është dënuar me 10 ditë burg dhe ndalim hyrjeje për një vit në Mal të Zi, pasi shkroi grafitin “UÇK” në qytetin bregdetar të Herceg Novit.
Sipas mediave malazeze, i riu u arrestua rreth orës 16:00 bashkë me disa tifozë të klubit të basketbollit Bashkimi nga Prizreni. Ai e pranoi veprën dhe do ta vuajë dënimin në Drejtorinë për Ekzekutimin e Dënimeve Penale.
Grafiti përmbante mbishkrimin “ARPZ UÇK 1878”, që i referohet grupit të tifozëve “Arpagjikët” të Bashkimit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vitit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Para vendimit të gjykatës, policia ndaloi autobusin me 48 tifozë dhe dy shoferë të ekipit prizrenas, të cilët po ktheheshin nga Italia pas ndeshjes me klubin Pallacanestro Reggiana në FIBA Kupën e Evropës.
Klubi Bashkimi reagoi duke kërkuar lirimin e tifozëve dhe ndërhyrje nga Ambasada e Kosovës në Podgoricë, duke e quajtur ndalimin “të padrejtë dhe të papranueshëm”.
Pas procedurave policore, tifozët u lanë të lirë dhe vazhduan udhëtimin drejt Prizrenit.