
Ndalimi i celularëve në 100 shkolla fillore të Zagrebit po jep rezultat: nxënësit flasin më shumë me njëri-tjetrin, përqendrohen më mirë dhe rastet e bullizmit online kanë rënë ndjeshëm, tha nënkryetarja e qytetit, Danijela Dolenac.
“Fëmijët u mësuan shpejt me rregullin e ri,” u shpreh ajo. “Klasa janë më të zhurmshme, por në mënyrë të mirë — sepse nxënësit shohin njëri-tjetrin, jo ekranet.”
Rekomandimi i bashkisë u zbatua në fillim të vitit shkollor dhe tani po e ndjekin edhe shkolla të tjera. Sipas Dolenacit, lëvizja ka sjellë tri përfitime kryesore: më shumë shoqërim mes nxënësve, cilësi më të mirë të mësimit dhe ulje të dhunës dixhitale.
Ndërkohë, deputetja Ivana Kekin nga partia Možemo! ka propozuar një ligj kombëtar për mbrojtjen dixhitale të fëmijëve. Drafti parashikon që nxënësit të mund t’i sjellin telefonat në shkollë, por t’i fikin dhe t’i ruajnë menjëherë në hyrje, me përjashtime vetëm për arsye mjekësore.
Ligji përfshin edhe rrjete të filtruara, pëlqim prindëror për rrjetet sociale nën 15 vjeç dhe detyrime për platformat që të bllokojnë bullizmin online dhe të heqin shpejt përmbajtjet e dëmshme.